Në Prishtinë, tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën bënë thirrje të mërkurën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja

, për shkak të siç u tha, mosrespektimit nga ana e institucioneve të vendit të rezolutës së Parlamentit të Kosovës për rrënimin e murit në cepin verior të urës kryesore mbi lumin Ibër, që shënon edhe vijën ndarëse të Mitrovicës, në veriun e banuar me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare. Muri që është ngritur nga autoritetet lokale serbe në veriun e Mitrovicës, kishte nxitur reagime të shumta të autoriteteve dhe partive politike në Kosovë të cilat thanë se ngritja e tij bie ndesh me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes në qytetin e ndarë të Mitrovicës. Autoritetet lokale serbe thonë se muri është pjesë e marrëveshjeve të arritura në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në funksion të rregullimit të mjedisit në atë zonë. Pas një takimi të mërkurën në Prishtinë, partitë opozitare bënë thirrje që të ndryshohet qeverisja e vendit. “Si pasojë e mosrespektimit të vendimeve të Parlamentit të Kosovës dhe shkeljes së demokracisë në vend, e po ashtu për shkak të papërgjegjësisë në qeverisje që po i sjellë vendit dëme të konsiderueshme, zgjidhja më e mirë do të ishte dorëheqja e kësaj qeverie dhe shkuarja në zgjedhje”, thuhet në deklaratën e përbashkët e tri partive opozitare. Një ditë më parë, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se çështja e afateve për rrënimin e murit duhet të respektohen nga institucionet e vendit ndërsa vuri në dukje që kjo çështje nuk do të diskutohet me autoritetet e Serbisë.