Opozita nuk regjistrohet në zgjedhje, aleatët e PD tërhiqen nga KQZ

Opozita nuk e pranon si të saktë përkufizimin e “bojkotimit të zgjedhjeve”, nëse nuk realizohet kërkesa e saj për qeveri teknike. “Nuk ka për të patur bojkot zgjedhjesh, sepse zgjedhje fasadë me krimin nuk do të ketë”, thotë kryetari i PD, Lulzim Basha. Dhe mesa duket, plani i së djathtës për të pamundësuar zgjedhjet më 18 qershor ka nisur të zbatohet. Dy aleatët kryesorë të demokratëve, Partia Republikane e Fatmir Mediut dhe Partia Agrare e Agron Dukës kanë tërhequr kërkesat për regjistrimin e partive respektive në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Republikanët, për të cilët nuk ka një vendim regjistrimi, i kanë kërkuar KQZ-së bllokimin e procedurave të mëtejshme, ndërsa agrarët, që janë regjistruar më herët, kanë kërkuar tërheqjen e dokumentacionit. Megjithatë, ka ende edhe një muaj kohë për regjistrimin e partive politike në zgjedhje, ndërsa një provë serioze, nëse partitë e opozitës nuk do të marrin pjesë në zgjedhje do të jetë kur ajo të mos regjistrohet si koalicion dhe të mos dorëzoje listat e kandidatëve, afati për të cilat është nga fundi i muajit prill. Por ndërkohë, mungesa e opozitës në përgatitjen e zgjedhjeve është vënë re tek krijimi i komisioneve zonale, në gjysmën e të cilëve shumica për funksionimin e tyre krijohet nga Partia Demokratike dhe Partia Republikane. Deri tani, opozita nuk ka dërguar emrat për krijimin e KZAZ-ve dhe nuk pritet ta bëjë këtë deri të premten, kur mbaron afati zyrtar. Kjo nuk është hera e parë që KZAZ-të ngrihen me vonesë, por ligji ka parashikuar mosbllokimin e procesit duke i dhënë të drejtën KQZ-së të përcaktojë me iniciativën e saj komisionerët për plotësimin e vendeve. Një procedurë që u ndoq në zgjedhjet lokale për Bashkinë e Kurbinit, ku opozita nuk mori pjesë dhe zgjedhjet u zhvilluan me një kandidat. Megjithatë, për të treguar se rregullat zgjedhore mund të ndryshojnë, mazhoranca vendosi të shtyjë sërish mandatin e komisionit parlametar për reformën zgjedhore.