Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) thotë se nevojiten hetime të mëtejshme për të përjashtuar përfundimisht teorinë se Covid-19 doli nga një laborator në Kinë. Tedros Adhanom Ghebreyesus tha sot se megjithëse një ‘rrjedhje’ laboratorike është shkaku më pak i mundshëm, kërkohet një hulumtim më i gjerë.

Virusi u zbulua për herë të parë në Wuhan, në provincën Hubei të Kinës në fund të vitit 2019.

Qeveria kineze ka hedhur poshtë akuzat për ‘rrjedhje’ të virusit.

Që nga identifikimi i parë i koronavirusit, më shumë se 2.7 milion njerëz kanë humbur jetën prej tij, me më shumë se 127 milion raste infeksioni në të gjithë botën.

Një ekip ndërkombëtar ekspertësh udhëtoi në Wuhan në janar për të hetuar origjinën e virusit. Kërkimi i tyre u mbështet në shembuj dhe prova të siguruara nga zyrtarët kinezë.

Dr Tedros tha se ekipi kishte vështirësi në aksesimin e të dhënave të para dhe bëri thirrje për “ndarje më të shpejtë dhe më gjithëpërfshirëse të të dhënave” në të ardhmen.

Ekipi hetoi të gjitha mundësitë, duke përfshirë edhe një teori që virusi e kishte origjinën në Institutin e Virologjisë Wuhan. Instituti është autoriteti kryesor botëror në mbledhjen, ruajtjen dhe studimin e koronavirusëve të lakuriqëve të natës.

Ish Presidenti i SHBA Donald Trump ishte midis atyre që mbështesnin teorinë se virusi mund të ishte shpëtuar nga një laborator.

Por një raport nga OBSH dhe ekspertët kinezë të lëshuar të martën, tha se shpjegimi i ‘rrjedhjes’ së laboratorit ishte shumë i pamundur dhe virusi ndoshta ka kaluar nga lakuriqët e natës tek njerëzit përmes një kafshe tjetër ndërmjetëse.

“Sidoqoftë teoria kërkon hetim të mëtejshëm, potencial me misione shtesë që përfshijnë ekspertë të specializuar”, tha Dr Tedros.