42 shtetas kanë përfunduar në qelitë e burgut në një hark kohor prej dy javësh në Shkodër pasi janë konstatuar duke vjedhur energjinë elektrike.

Shifrat i bën të ditura drejtori i njësisë Shkodër i OSHEE Luan Rosaj gjatë një aksioni në lagje të ndryshme të qytetit. Shkak ndër të tjera është bërë edhe niveli i lartë i humbjeve që shkon në 42%. Aksionet e OSHEE sipas drejtorit Rosaj do të vijojnë pa ndërprerje ndërsa qelitë e burgut pritet të kenë më shumë të arrestuar që vjedhin energjinë elektrike. Pak kohë më parë administratori i përgjithshëm i OSHEE Ardian Çela kritikoi nivelin e humbjeve në Shkodër duke kërkuar një performancë më të mirë dhe një përgjegjësi më të madhe. Kjo ka bërë që grupet e OSHEE të zbarkojnë në terren duke ndërmarrë aksione blic edhe gjatë natës.