Një grup avokatësh të njohur, konstitucionalistë dhe të etikës, kanë paditur presidentin amerikan Donald Trump të hënën duke e akuzuar atë se ka shkelur Kushtetutën duke lejuar që hotelet dhe bizneset e tjera të tij të pranojnë pagesa nga qeveri të huaja.

Padia e paraqitur në Gjykatën Federale të Manhatanit nga grupet qytetarët për Përgjegjshmëri dhe Etika në Uashington, nënvizon klauzolën e kushtetutës që ndalon pagesa të tilla dhe i kërkon Trump-it të ndalë pranimin e tyre. Vetë Trump tha të hënën se padia ishte totalisht e pavlerë. Morgan Lewis & Bockius, një kompani ligjore që përfaqëson presidentin në çështje të etikës, nuk reagoi menjëherë ndaj kërkesave për koment. Padia gjithsesi është pjesë e një vale kundërshtish të pritshme nga grupet liberale kundër Trump-it. Më herët këtë muaj, ai ka deklaruar se do të ruajë pronësinë mbi perandorinë e tij globale të biznesit, por ia dorëzoi kontrollin dy djemve të tij të mëdhenj, përgjatë presidencës. Këshilltarët e tij thanë se fitimet që gjenerojnë qeveritë e huaja në hotelet e Trump-it do t’i dhurohen Thesarit amerikan. Padia aludon se pagesat e qeverive të huaja për qira në kullën Trump në Nju Jork, qëndrimin në hotelet e Trump-it dhe të drejtat për të ritransmetuar emisionet e tij televizive, janë të paligjshme.