Gjermania do të vazhdojë me procedurat për kthimin e azilkërkuesve shqiptarë në atdhe. Mediat vendase raportojnë se qeveria gjermane ka hartuar një program për t’i ofruar 600 euro çdo azilkërkuesi që largohet me dëshirë. Deri më tani janë rreth 107 persona që kanë pranuar ofertën dhe pritet që shumë shpejt të kthehen në atdhe. Këto masa vijnë pas dyfishimit të numrit të azilkërkuesve shqiptarë për gjysmën e parë të 2015, krahasuar me një vit më parë.

Deri në fund të gushtit, shteti gjerman, ka parashikuar kthimin e rreth 500 shqiptarëve, ndërsa pritet që të kthehen dhe shumë të tjerë në muajt e ardhshëm. Në datën 5 pritet që të mbërrijë një tjetër avion pas atij të disa ditëve më parë, në të cilin do të kthehen 100 shqiptarë.  Sipas mediave gjermane ky program ka për qëllim uljen e kostove për trajtimin e azilantëve ku deri më tani janë harxhuar rreth 65 mijë euro për kthimin e tyre në atdhe. N dërsa Presidenti i Zyrës Federale për Emigracionin dhe Refugjatët, Manfred Schmidt, lajmëroi shkurtim të procedurave për azilkërkuesit shqiptarë. “Ajo që ne duhet të arrijmë është që të mos ia vlejë qëndrimi në Gjermani për një kohë të caktuar. Nga gushti, kur të hyjë në fuqi ligji i ri për qëndrimin në vendin tone, do të vendosim sanksione për kërkesat e paarsyetuara të azilit, siç është bllokimi i hyrjes në vendet e zonës Schengen, apo edhe ndalimi i shkeljes në tokën gjermane”, tha ai. Deklarata e Schmidt janë përkrahur nga mjaft zyrtarë vendas, gjithashtu edhe nga ambasadori gjerman në vendin tone, i cili ka pohuar se të gjithë ata persona që kanë aplikuar për azil do të kthehen mbrapsht.