Një sasi tritoli i është vendosur poshtë makinës administratorit të ekipit të futbollit të Vllaznisë Suad Lici. Fatmirësisht lënda plasëse nuk ka shpërthyer, pasi Lici e ka dalluar poshtë makinës dhe ka njoftuar policinë.

Makina ka qenë e parkuar poshtë banesës së tij në lagjen “Ahmet Haxhija” pranë stadiumit ‘Loro Boriçi’ në qytetin e Shkodrës. Rreth orës 08:56 minuta në momentin që Lici ka dalë nga shtëpia dhe është drejtuar për të hipur në makinë ka pikasur një pako të dyshimtë poshtë ‘Benz’-it të tij të mbështjellë me natriban duke njoftuar policinë e cila ka mbërritur dhe ka rrethuar zonën në pritje të shpërthimit të kontrolluar.

Në vendin e ngjarjes ndodhen edhe drejtuesit e policisë së Shkodrës dhe kryebashkiakja Voltana Ademi. Ish-futbollisti i disa ekipeve dhe tashmë administrator i Vllaznisë, Suad Lici njihet edhe si biznesmen në Shkodër. Ai u emërua nga Voltana Ademi administrator i Vllaznisë në Shkodër në 23 korrik të vitit 2018.

Në vendin e ngjarjes pranë shtëpisë së Suad Licit përpos grupit hetimor shkuan edhe drejtues të policisë së Shkodrës, por edhe kryebashkiakja Voltana Ademi. Gazetari Suad Lici në dëshminë paraprake para grupit hetimor është shprehur se nuk ka konflikte.

Ndërkohë që policia njofton se pas sinjalizimit nga Lici ka rrethuar zonën për të bërë shpërthimin e kontrolluar. “Më datë 16.02.2020, rreth orës 08:56, Suad Lici 46 vjeç, banues në lagjen “Ahmet Haxhija”, Shkodër ka njoftuar Sallën e Drejtimit në DVP Shkodër, se poshtë mjetit të tij tip Benz, ka konstatuar një pako të mbështjellë me letër natriban ku dyshohet se mund të ketë lëndë plasëse”. Grupi hetimor vijon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, ndërsa pritet edhe sekuestrimi i pamjeve të kamerave të sigurisë për të shkuar te gjurmët e autorëve.

Shkodër/ Informacion paraprak
Më datë 16.02.2020, rreth orës 08:56, shtetasi S. L. 46 vjeç, banues në lagjen “Ahmet Haxhija”, Shkodër ka njoftuar Sallën e Drejtimit në DVP Shkodër, se poshtë mjetit të tij tip Benz, ka konstatuar një pako të mbështjellë me letër natriban ku dyshohet se mund të ketë lëndë plasëse.

Në vend ndodhen shërbimet e policisë dhe grupi hetimor ku vijon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.