
Komedia ikonike shqiptare, ngjitet në skenën nga nxënësit e shkollës “Besëlidhja”
Një nga veprat më të njohura të teatrit shqiptar, komedia “Pallati 176”, u soll me sukses në skenën e Pallatit të Kulturës në Lezhë, këtë herë jo nga aktorë profesionistë, por nga nxënësit e shkollës “Besëlidhja”, nën drejtimin e mësueses Alketa Bejtja.Skena u gjallërua nga interpretimet e Ester Pulaj, Brian Pasha dhe Patrik Zefi, të cilët përcollen me pasion dhe përkushtim personazhet që dikur janë skalitur nga emra të mëdhenj të teatrit shqiptar.
Rivendosja në skenë e kësaj komedie klasike ishte një sfidë më vete, për shkak të peshës historike që mbart dhe pritshmërive që ajo ngjall. Megjithatë, nxënësit ia dolën të sjellin një performancë dinjitoze, që emocionoi dhe argëtoi publikun.
Aktoret e rinj Ester Pulaj, Brian Pasha dhe Patrik Zefi thonë se ka qenë një përgatitje e gjatë për të vënë në skene këtë komedi.
Publiku e priti me entuziazëm shfaqjen, duke shpërblyer interpretuesit me duartrokitje të vazhdueshme, ndërsa ky projekt teatror vërtetoi edhe një herë se arti ka fuqi të qëndrojë i gjallë kur i besohet brezit të ri.