
Pallati i sportit “Qazim Dervishi” në qytetin e Shkodrës nuk do të vuaj më problemin e ujit që futej në koridore se herë kishte reshje shiu.
Prej ditësh në mjediset e jashtme të pallatit të sportit kanë nisur të bëhen disa punime të cilat do ta shpëtojnë njëherë e mirë. Në fakt nuk po shpenzohen para shtesë apo ndonjë tender siç ndodh zakonisht por këto punime po I kryen e njëjta firmë që po rikonstrukton stadiumin “Loro Boriçi”. Duke qenë në afërsi me njëra-tjetrën kjo firmë ka marrë përsipër që të bëjë edhe këto punime. Nga sa shihet do të ulet niveli në sheshin përpara pallatit të sportit por edhe në pjesën mbrapa tij si e vetmja mënyrë që të mos ketë probleme në të ardhmen. Po ashtu përveç nivelimit në të njëjtën kohë po bëhen edhe kanalizimet dhe ujërat e zeza për pallatin e sportit do të kenë të njëjtin destinacion me ato të stadiumit “Loro Boriçi” duke mos dalë më në sipërfaqe të koridoreve apo dhomave të zhveshjeve të sportistëve. Për këtë gjë shpesh herë janë rrezikuar që të anullohen ndeshje të ndryshme të ekipeve të Vllaznisë. Deri tani punimet edhe për pallatin e sportit po ecin me ritme të shpejta dhe brenda pak ditëve pritet që të përfundojnë plotësisht. Është premtuar që s’do ketë më probleme me shpërthimin e ujrave në mjediset e pallatit të sportit por pasi të përfundojnë punimet dhe kur të ketë reshje të dendura shiu duhet parë nëse kjo do të arrihet apo do të jetë thjeshtë një premtim i radhës. Një gjë të tillë pallati i sportit e ka patur të nevojshme prej kohësh duke qenë se sportistët dhe trajnerët bashkë me punonjësit kanë vuajtur nga ky problem.






