Koncepti i trenit të ri luksoz brenda vetes ka hapësirë panoramike, ku pjesa e tavanit është e punuar nga xhami e pjesët anësore zgjerohen për të krijuar hapësirë të mjaftueshme si tarraca.

Bëhet fjalë për kryeveprën e të birit të dizajnerit francez Thierry Gaugain i njohur si “Treni G”, ndërtimi i të cilit kap shumën e 350 milionë dollarëve dhe konsiderohet si “pallat në binarë” me të cilin mund të udhëtojnë të pasurit.

Secili nga 14 vagonët do të ketë tavanin nga xhami, por që me kërkesë të pasagjerëve mund të mbulohen me pllaka të metalta – varësisht nga ambienti dhe kushtet klimatike.

Gaugain këtë koncept e solli në jetë përmes imazheve kompjuterike 3D, që shfaqin pjesën e brendshme dhe atë të jashtme të trenit të shpejtë.

Hapësira e brendshme e Trenit G është e ngjashme me skenat e filmit fantashkencë Snowpiercer. Ky film bazohet në katër novela franceze, ku të mbijetuarit e vetëm të njerëzimit janë në kërkim të jetës, diku në tokë pas katastrofës klimatike që e godet planetin tonë.

Gaugain synon ta bëjë realitet projektin e tij në bashkëpunim me të venë e Steve Jobs, Laurene Powell Jobs, e cila njihet si një miliardere dhe grua shumë e suksesshme në biznes.

Megjithatë ata janë në kërkim edhe të klientëve që do të mund të përballojnë çmimin për të udhëtuar me këtë tren, ndërtimi i të cilit mund të marrë deri në dy vite e gjysmë.

Pasagjerët mund të organizojnë hapësirën e tyre ku qëndrojnë, ku për pak sekonda në mënyrë të automatizuar shndërrohet në dhomë gjumi apo ndeje, kurse në këtë tren mund të futen edhe veturat e tyre, me qëllim që sapo të zbresin të mund të vazhdojnë rrugëtimin e tyre me mjetet e tyre private motorike.

Në një vagon mund të akomodohen deri në 18 pasagjerë, duke marrë parasysh se vagonët janë shumë të mëdhenj dhe në të mund të qëndrojnë për ditë të tëra derisa udhëtojnë nëpër vende të ndryshme të botës.

Trendi i udhëtimit me tren viteve të fundit është rikthyer, dhe çdo ditë e më shumë po ka kërkesa për prodhimin e trenave luksoz që do të përmbushte kërkesat e klientëve.