Në Pallatin e Kongreseve shtëpitë botuese nga vendi dhe rajoni janë në përfundim e sipër të stendave për të servirur botimet e tyre në Panairin e 19 të Librit që do të nisë të mërkurën.

Në Pallatin e Kongreseve shtëpitë botuese nga vendi dhe rajoni janë në përfundim e sipër të stendave për të servirur botimet e tyre në Panairin e 19 të Librit që do të nisë të mërkurën. Këtë vit do të ketë më pak shtëpi botuese pjesëmarrëse krahasuar me vitin e kaluar, por aktivitetet gjatë ditëve do të jenë më shumë. “Janë mbi 90 shtëpi botuese e institucione kulturore që marrin pjesë në panair. Kemi edhe rreth 60 aktivitete kulturore që do të zhvillohen”, ka deklaruar Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë. Edhe për këtë vit ajo që vihet re është kriza që vijon të mbajë mbërthyer librin që vjen i tkurrur në tirazh. Botuesit thonë se ndërsa tirazhi është ulur, cilësia e titujve të rinj është rritur. “Kriza ekonomike është e dukshme, ndihet edhe në botime. Kemi më pak tituj të botuar, por më e dukshme është ulja e tirazheve. Dhe kur ka pak shitje, investimi për tituj të rinj është më i vogël”, ka thënë Ymeri. Në peshore mes letërsisë vendase dhe asaj të huaj, kahu anon nga autorët ndërkombëtarë, por nuk mungojnë titujt e rinj nga autorët shqiptarë. “Nuk mund të konkurrojmë ne letërsinë botërore. As ne e as vende më të kulturuara e më të zhvilluara se ne. Ne kemi kënaqësinë të themi se kemi këtë vit më shumë autorë shqiptar që prezantohen këtë panair”, ka shtuar Ymeri. Panairi i Librit do të mirëpresë lexuesit nga data 9-13 nëntor në Pallatin e Kongreseve.

Artikulli paraprakRAMA NE FB:NA PRESIN DHE 24 ORE TE VESHTIRA,KURAJO!
Artikulli tjetërNESER PRITET REKOMANDIMI I KE PER NEGOCIATAT,RAMA E BUSHATI AKUZA PD