
Panairi i artizanatit ka mbledhur një numër të madh artizanësh nga e gjithë Shqipëria në Shkodër.
Nga kjo e premte e deri të dielën, për tre ditë rresht, të gjithë shkodranët kanë mundësi të përzgjedhin një gamë të gjerë materialesh artsitike të punuara me dorë në hyrje të pedonales “Kolë Idromeno”. Të pranishëm janë edhe artizan nga Saranda, të cilët kanë ngritur stendat me materialet e tyre dhe që vijnë gjithmonë me dëshirë në Shkodër për promovimin e materialeve artizanale.
Në këtë panair artizanati nuk mund të mungonte edhe Zija Karini, mjeshtri shkodran i pikturës me djegie dhe përpunimit të drurit.
Prej vitesh është kthyer në një prej personazheve më të njohur të artizantit. Panairi i objekteve artizane është bërë i mundur nga shoqata e artizanëve në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër. Përgjatë periudhës së verës ka patur disa herë organizime të tilla, të cilat ndihmojnë artizanët e punës së dorës të promovojnë produktet e tyre.






