Krimet kibernetike vijojnë të jenë shqetësuese për policinë. Sipas raportit të prokurorisë së përgjithshme për vitin 2020 kjo vepër penale ka pësuar rritje me 35 %. Eksperti i sigurisë së informacionit shprehet se bizneset por edhe fëmijët ishim më të prekur nga këto vepra për vitin 2020

Kufizimi nga pandemia ka bërë që shumë qytetarë të përdorin internetin si mjetin e tyre për të marrë e dhënë shërbime. Por këtë situatë disa e shfrytëzuan për shantazhe apo hakërime.

Në raportin e prokurorisë së përgjithshme për vitin 2020 thuhet kjo vepër penale ka pësuar rritje më mbi 35% krahasuar me veprat e tjera.

Eksperti i sigurisë se informacionit, Ergest Nako, tha se bizneset e shërbimit ranë pre e këtyre sulmeve pasi në Webisten e tyre nuk kishin sigurinë e duhur.

“35% rritjes është më se normale pasi kemi parë që gjatë pandemisë njerëzit janë detyruar të përdorin më shumë shërbimet elektronike, si pasojë e situatës dhe kompleksitetit që u krijua. Pra pamë kompani të cilat ishin të papërgatitur për këtë gjë.

Automatikisht me rritjen e këtyre shërbimeve pritet që rritja e problematikave dhe krimet që ndodhin në hapësirën kibernetike të rriten më shumë.”

Një pjesë e konsiderueshme që përfshihen ne krimin kompjuterik janë edhe fëmijët, dhe ekspertet fajësojnë prindërit të cilët tregohen të pandërgjegjshëm.

“Duhet të kemi parasysh se fëmijët janë shtresa më e pambrojtur në këtë pjesë dhe automatikisht më pak e ndërgjegjshme në lidhje me atë, ndërkohë që janë të ekspozuar ndaj teknologjisë në mënyrë të pakontrolluar për shumë faktorë, mes tyre dhe neglizhenca e prindërve. Prindërit duhet të ndërgjegjësohen. ”

Në drejtorinë e policisë së Tiranës janë të shumta denoncimet e depozituara, në lidhje më mashtrimet kompjuterike. Shpesh herë ekspertet e policisë së shtetit që merren me hetimin e tyre, kanë shprehur shqetësimin në lidhje me rritjen e mashtrimeve në rrjet.

Sipas burimeve mesatarisht në 10 mijë banorë nga krimet kibernetike preken 6 persona, kryesisht të mitur.