
Arsimi mbetet një nga prioritetet kryesore të Bashkisë Shkodër dhe, pavarësisht çdo tentative për bllokim, investimet në këtë sektor do të vijojnë pa u ndalur.Krahas rikualifikimeve të plota të shkollave dhe kopshteve, Bashkia Shkodër, në bashkëpunim me donatorë, ka realizuar vendosjen e paneleve diellore në 7 shkolla dhe 2 kopshte të qytetit. Konkretisht, panelet janë instaluar në shkollat Jordan Misja, Oso Kuka, Tring Smajli, Dëshmorët e Rrencit, Edit Durham, Dëshmorët e Prishtinës, si dhe në kopshtet Bep Tusha dhe Ngjyrat.
Drejtori i Përgjithshëm i Planifikimit në Bashkinë Shkodër, Bekim Mema, theksoi se këto investime, edhe pse me vlerë modeste financiare, kanë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe afatgjatë në uljen e kostove të energjisë për institucionet arsimore, si dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për përdorimin e energjisë së rinovueshme.
Në vijim të këtij angazhimi, Bashkia Shkodër është shpallur fituese e projektit Sunny School, përmes të cilit do të realizohet instalimi i paneleve diellore në shkollat Ndre Mjeda dhe Salo Halili, me një vlerë investimi prej 21 mijë eurosh. Paralelisht, me bashkëfinancim të bashkisë, panele diellore do të vendosen edhe në shkollën Ndoc Mazi. Bashkia Shkodër vijon të investojë në arsim jo vetëm për përmirësimin e kushteve fizike, por edhe për ndërtimin e një kulture të qëndrueshme energjetike për brezat e ardhshëm.






