Panik në Gjykatën e Athinës, një person qëllon me ajër Panik në Gjykatën e Athinës. Një person ka shtënë në ajër, ndërsa po fliste para gazetarëve. Personi u arrestua menjëherë ndërsa prokuroria ka nisur hetimet nëse ai mbante armën me vete edhe në sallën e gjyqit.

Panik dhe frikë ka shkaktuar veprimi i një të afërmi të një personi që konsiderohet i vrarë disa vite më parë në Greqi, kur para ndërtesës së gjykatës, ku u zhvillua një prej seancave të kësaj çështjeje, ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar 4 herë në ajër para kamerave të stacioneve televizive. Më pas ka përqafuar të ëmën e viktimës dhe është larguar, por disa metra larg gjykatës është arrestuar nga policët grekë, bashkë me një person që e shoqëronte. Shkaku i këtij veprimi ekstrem, – ka shpjeguar ai para policisë, – është fakti se trupi i kushëririt të tij të vrarë para 5 vitesh, ende nuk po gjendet, ndërsa drejtësia nuk po e zbardh aspak çështjen dhe gjyqi është shtyrë përsëri për të tretën herë. Para se të qëllonte me armë, ai ka deklaruar: “Maskarenjtë nuk po gjejnë ende trupin, por Zoti mendon ndryshe”, ka thënë ai. Mario Papagjeorgjiu, një i ri 26-vjeçar, është zhdukur më 9 gusht të vitit 2012 dhe një ditë më pas, persona të panjohur kanë kërkuar nga familja e tij 620 mijë euro si shkëmbim për jetën e tij. Për disa ditë, nëna e tij nuk ka lajmëruar policinë, ndërsa dëgjonte këshillat e një 73-vjeçari, mik i familjes, që dukej sikur negocionte me rrëmbyesit. Pasi çështja bëhet e njohur në polici, ky person është arrestuar dhe dënuar si i dyshuari kryesor për këtë rrëmbim, bashkë me 5 persona të tjerë. Por trupi i të riut nuk u gjet kurrë, ndërsa edhe gjyqi që po vazhdon për kaq vite po shkakton më shumë dhimbje te familjarët