Papa francesku mbajti një fjalim historik në kongresin e shba ku dha mesazhe të qarta për ligjvënesit amerikanë të dy dhomave të mbledhur si rrallë herë në një sallë.

Heqje të dënimit me vdekje, me shumë solidaritet me emigrantët por edhe temat e tjera që shqetësojnë sot botën ishin në qendër të fjalimit të atit të shenjtë. Kreu i Vatikanit e nisi fjalën me një nga shprehjet më simbolike amerikane.

“Jam mirënjohës që jam këtu në tokën e të lirëve dhe në atdheun e trimave”

Dhe duartrokitjet shpërthyen në atë moment dhe gjatë gjithë fjalimit të tij. Ati i Shenjtë dha një mesazh për krizën e emigrantëve duke e lidhur edhe me historine e tij personale.

PAPA: MOS SHIHNI NUMRIN POR HISTORINË 

“Të gjithë në kemi qenë dikur të huaj diku. E them këtë si bir emigrantësh. Ne nuk duhet të trembemi nga numri i tyre, por t’i shohim si njerëz, duke vështruar fytyrat e tyre dhe duke dëgjuar historitë e tyre. Trajtoi të tjerët ashtu siç do doje të të trajtonin ata ty.”

Në fjalën e tij, Papa Francesku bëri thirrje që t’i jepet fund dënimit me vdekje në SHBA dhe në botë, ndërsa nëvizoi rëndësinë e një “ekuilibri delikat” në luftën kundër ekstremizmit fetar duke u shprehur se asnjë fe “nuk është e imunizuar nga format e keqkuptimit individual ose nga ekstremizmi ideologjik. Bota tha Papa nuk duhet ndarë në dy kampe: e mira dhe e keqja.

Para ligjvënësve amerikanë, kreu i Vatikanit u ndal edhe tek ngrohja globale,duke bërë thirrje për hapa urgjente për të parandaluar shkatërrimin e mjedisit në botë dhe për të lehtësuar problemin e varfërisë.

Eshtë hera e parë që një Papë flet në një Kongres Amerikan dhe fjalimi ishte një ndër vetëm katër gjatë vizitës që ai do mbajë në anglisht, pasi të tjerët do i mbajë në gjuhën e tij spanjolle.

Pas fjalimit që u përshëndet me duartokitje të gjata, Papa foli edhe para të gjithë admiruesve të mbledhur para Kapitolit duke i përshëndetur dhe bekuar.