Ashtu si edhe në meshën e Krishtlindjes, mesazhin e Vitit të Ri Papa Françesku e dha në sallën e madhe të bibliotekës së Vatikanit. Ndalimi i grumbullimeve, si pjesë e masave kundër përhapjes së koronavirusit e la sheshin e Shën Pjetrit të boshatisur dhe të rrethuar me barrierat e vendosura nga policia. Gjatë fjalës së tij në sallën ku qëndronte vetëm, kreu i Kishës Katolike bëri thirrje për paqe dhe durim në përballimin e pandemisë. Në vijim Papa kujtoi se sot kremtojmë një ditë jo të zakonshme që sivjet i kushtohet kujdesit për të afërmit e për paqen. “Ngjarjet e dhimbshme  që  jetoi njerëzimi  në vitin e kaluar, posaçërisht pandemia, na mësojnë sa e rëndësishme është të interesohesh për problemet e të tjerëve e të ndash me ta të mira e të vështira.

E kjo  është sjellja që i hap rrugën paqes, sepse ndihmon për ndërtimin e një shoqërie  të bazuar mbi  vëllazërimin”, tha Papa. Papa në lutjen e parë të Engjëllit të Tënzot për Vitin e ri 2021 u drejtoi të gjithë njerëzve vullnetmirë, thirrjen: “Secili nga ne, burra e gra të kësaj kohe, jemi të thirrur ta realizojmë paqen çdo ditë e në çdo mjedis jete, duke ia shtrirë dorën vëllait që ka nevojë për një fjalë ngushëlluese, për një gjest dhembshurie, për një ndihmë solidare”, u shpreh Papa. Papa Françesku kërkoi që viti 2021 të jetë vit i solidaritetit vllazëror e i paqes për të gjithë. “Nis një vit i ri. Nis nën shikimin amtar të së Shenjtnueshmes Mari, të cilën liturgjia e sotme e kremton si Nënë e Zotit” – ishin fjalët e para  të Papës në këtë ditë të parë të vitit. E Asaj ia besoi ankthet tona, trazimet tona. Ia besoi, sepse Ajo mund të na hapë udhë të reja në vijim të shtegtimit. Shikimi qetësues e ngushëllues i Virgjërës së Shenjtë është inkurajim!

Na nxit që kjo kohë e dhuruar nga Zoti, të shfrytëzohet për rritjen tonë njerëzore e shpirtërore, të jetë kohë për t’u dhënë fund mërive e përçarjeve, kohë për ta ndjerë veten vëllezër me të gjithë, kohë për të ndërtuar, jo për të rrënuar; kohë për kujdes ndaj njëri-tjetrit e për krijimin”, tha Papa. Paqja mund të sigurohet nëse fillojmë të jemi në paqe me vetveten e me njeriun e afërm, duke i zhdukur vështirësitë, që na pengojnë e duke u kujdesur për të gjithë ata, që kanë nevojë. Duhet të zhvillohet mendësia dhe kultura e kujdesit e të marrë fund indiferenca, kultura e hedhurinës dhe rivaliteti, që sot, për fat të keq,  sundojnë mbi botën: “Paqja nuk është vetëm mungesë lufte, por edhe, e kryesisht, jetë plot me kuptim, e jetuar duke realizuar jetën personale  e duke ndarë me vëllezërit të mira e të vështira. Atëhere kjo paqe, aq shumë e dëshiruar, e edhe më shumë e rrezikur nga dhuna, nga egoizmi e nga ligësia, bëhet e mundshme dhe e realizueshme”.