
Të gjitha matjet zyrtare tregojnë përkeqësimin të mundësive për punësim te të rinjtë. Të dhënat nga Anketa e Forcave të punës raportuan se papunësia tek të grup-mosha 15-29 vjeç pësoi rritje vjetore me 16% në tremujorin e dytë të vitit, teksa të dhënat administrative treguan se 16,537 të rinj u regjistruan si të papunë në zyrat e punësimit me rritje vjetore 4.3%.
Pas një përmirësimi të përkohshëm në tremujorin e pare 2025 papunësia e regjistruar te të rinjtë ka ndjekur një trajektore rritëse. Në tre tremujorët pasues, numri është rritur gradualisht, duke arritur në mbi 16.5 mijë persona në tremujorin e dytë të këtij viti. Rritja e papunësisë së regjistruar te të rinjtë lidhet pjesërisht me vështirësitë e kësaj grupmoshe për t’u integruar në tregun e punës.
Edhe pse ekonomia ka krijuar vende të reja pune, një pjesë e tyre janë përqendruar në sektorë ku kërkohen më shumë punonjës me eksperiencë ose aftësi specifike, ndërsa shumë të rinj përballen me mungesë përvoje profesionale dhe kualifikimesh të përshtatura me kërkesat e bizneseve.
Vitet e fundit, një numër i konsiderueshëm të rinjsh kanë zgjedhur të kërkojnë mundësi punësimi jashtë vendit, çka ka ulur ofertën e punës në disa sektorë, por njëkohësisht ka nxjerrë në pah vështirësitë e atyre që mbeten në tregun vendas për të gjetur punë të qëndrueshme. Përkeqësimi i tregut të punës për të rinjtë po vjen në një kohë kur bizneset e konsiderojnë mungesën e fuqisë punëtore si pengesën më të madhe për të bërë biznes. Nga ana tjetër grup-moshat më të mëdha po integrohen me shpejt, duke përfshirë edhe pensionistët./Monitor


