Vllaznia dhe Otrant Olympic i Ulqinit e kanë mbyllur në barazim 0-0 përballjen miqësore në mes tyre, të luajtur në stadiumin “Loro Boriçi”. Një ndeshje kjo që i ka shërbyer dy trajnerëve Thomas Brdariç dhe Dejan Vukiçeviç për të testuar futbollistët e tyre në këtë pauzë të kampionateve. Në 45-minutëshin e parë, nuk kanë munguar rastet e kuqebluve, por sulmuesit e saj nuk arritën dot të realizojnë. Ndërkohë, në pjesën e dytë, stafi teknik i kuqebluve ka aktivizuar 11-shen e dytë. Edhe në këtë 45-minutësh, rastet e dy ekipeve nuk munguan, por sërish nuk kishte gola dhe në këtë mënyrë, i gjithë takimi u mbyll në shifrat e barabarta 0-0.
Pas përfundimit të këtij takimi, trajneri Thomas Brdariç e vlerësoi si pozitive një miqësore të tillë, teksa dha mendimin e tij edhe për sulmuesin e ardhur nga Gaboni, Matouti, i cili ka firmosur së fundmi me Vllazninë.
Nga ana tjetër, Kryetari i klubit të Otrant Olympic të Ulqinit, Skënder Rexha, është optimist për të ardhmen e skuadrës së tij.
Tashmë, nga e diela, Vllaznia do të nisë përgatitjet për ndeshjen e së mërkurës ndaj Egnatias.