Policia e Shtetit ka zhvilluar një plan operacional për kontrollin e ambienteve të mbyllura dhe të hapura në të gjithë territorin e vendit, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Gjatë aksionit, ku janë anagazhuar 1833 punonjës policie të Drejtorive Vendore të Policisë dhe Drejtorive të Kufirit, të ndarë në 354 grupe kontrolli, janë ushtruar 9965 kontrolle.

Sipas uniformave blu, konkretisht janë zhvilluar “4036 kontrolle në sera dhe minisera, 1633 kontrolle në magazina dhe objekte, 1178 kontrolle në ish-objekte ushtarake, 746 kontrolle në banesa të braktisura, 384 kontrolle në stane/stalla bagëtish dhe 1988 kontrolle në ambiente të hapura”.

Në njoftimin e plotë të policisë së shtetit thuhet se “Në kuadër të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të kanabisit dhe në zbatim të Planit Operacional të hartuar për këtë qëllim, strukturat e Policisë së Shtetit kanë nisur kontrollet masive në të territorin. Në të gjithë vendin janë angazhuar 1833 punonjës policie të Drejtorive Vendore të Policisë dhe Drejtorive të Kufirit, të ndarë në 354 grupe kontrolli.

Për kontrollin e territorit po përdoren edhe 25 dronë që janë në dispozicion të Drejtorisë Vendore të Policisë, kamera, dylbi, 297 automjete policie dhe 4 mjete lundruese. Janë ushtruar në total 9965 kontrolle, konkretisht: 4036 kontrolle në sera dhe minisera, 1633 kontrolle në magazina dhe objekte, 1178 kontrolle në ish-objekte ushtarake, 746 kontrolle në banesa të braktisura, 384 kontrolle në stane/stalla bagëtish dhe 1988 kontrolle në ambiente të hapura.

Gjithashtu janë kontrolluar të gjitha vendet e cilësuara me risk dhe vendet ku vitet e kaluara është tentuar të kultivohet kanabis. Si rezultat i kontrolleve në të gjithë territorin deri tani nuk janë konstatuar raste të kultivimit të kanabisit apo tentativa për të hapur toka rishtas për kultivim.

Kontrollet masive të territorit do të vijojnë çdo javë dhe në këtë kuadër Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë, duke denoncuar në numrin pa pagesë 112 e Komisariatin Dixhital, çdo rast që ata konstatojë apo informacion që disponojnë në lidhje me tentativën për kultivim të kanabisit, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm”, përfundon njoftimi i policisë.