
Destinacionet kulturore, arkeologjike dhe historike në vendin tonë mbeten ndër pikat kryesore të vizitorëve të huaj gjithnjë e më tepër përgjatë gjithë vitit. Referuar shifrave zyrtare të publikuara së fundmi nga Kryeministri Rama, nga janari deri në shtator të këtij viti janë numëruar gjithsej mbi 1.2 milionë vizitorë në këto atraksione turistike, ose me një rritje prej 57% krahasuar me një vit më parë.
Në 5 destinacionet më të preferuara nga turistët, Parku Arkeologjik i Butrintit renditet i pari me plot 257,670 vizitorë vetëm përgjatë 9 muajve të parë të këtij viti.
Një tjetër pikë historike shumë e kërkuar nga vizitorët përgjatë gjithë vitit mbetet Kalaja e Gjirokastrës, e cila është preferuar nga 253,407 vizitorë sipas të dhënave të fundit. Më pas renditet Parku Arkeologjik Shkodër me 150,927 vizitorë, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me 147,178 vizitorë dhe me 109,669 vizitorë Parku Arkeologjik i Apolonisë.


