Në parlamentin grek fillon të hënën diskutimi i paketës së masave të reja që përmban marrëveshja e arritur me kreditorët, më herët këtë muaj.Drafti përkatës ka më shumë se 900 faqe.

Edhe pse deputetë të maxhorancës kanë shprehur pakënaqësinë dhe kundërshtimin për masat e reja, konsiderohet e sigurt se të 153 deputetët e koalicionit qeveritar do të votojnë pro, me argumentin se në rast të kundërt vendi do të zhytet në kaos. Ata ndërkaq kanë marrë premtimin nga klryeministri Tsipras se kjo do të jetë sakrifica e fundit. Synimi i qeverisë është që paketa të miratohet deri mbrëmjen e të enjtes, me qëllim që të shqyrtohet nga ministrat e financave të eurozonës, të hënën e ardhshme. Athina pret nga ai takim ndezjen e “dritës jeshile” për çlirimin e një këstit të vonuar së tepërmi, me vlerë 7 miliardë euro, të kredisë që i është akorduar Greqisë në kuadër të planit të tretë të shpëtimit.

Paketa, që parashikon kursime me vlerë më shumë se 4 miliardë euro për tre vitet e ardhshme, ka ngjallur polemika të ashpra ndërmjet opozitës dhe qeverisë. Kyriakos Mitsotakis, kryetari i partisë më të madhe opozitare, Demokracia e re, ka paralajmëruar se “tallja”, siç thotë e qeverisë, nuk ka për të kaluar. “Nënshkruan dhe po votojnë masa me vlerë 4 deri 5 miliardë euro, që godasin secilin grek dhe kryesisht qytetarët më të dobët. Tallja e tyre nuk do të kalojë”, komentoi lideri i opozitës me një mesazh të Twitter, paraditen e të hënës. Por qeveria është kundërpërgjigjur, duke e akuzuar liderin e opozitës, se po thotë “gënjeshtra”.

“Mitsotakis gënjen. Në paketën e re përmbahen qartësisht masat pozitive, me vlerë 7,5 miliardë euro deri në vitin 2021”. Reagimi i qeverisë e ka fjalën për masat kompensuese që parashikohen për të zbutur efektin e reduktimeve të reja në pensionet, si dhe rritjen e tatimit mbi të ardhurat. Por këto masa do të mund të zbatohen vetëm në rast se Greqia do të kapë gjithë objektivat fiskalë dhe realizojë reformat që parashikohen në marrëveshjen e re me kreditorët. Një zhvillim i tillë nuk është krejtësisht i sigurt, vërejnë analistët.

Sipas shtypit europian, më shumë se 1,1 pensionistë në Greqi do të kenë një ulje të re, në masën 9% për pensionet e tyre. Siç shënon revista gjermane “Der Spiegel”, ky do të jetë reduktimi i 23-të në pensionet e grekëve brenda tetë viteve të krizës. Unionet sindikale të vendit kanë paralajmëruar për grevë të përgjithshme më 17 maj, me qëllim që të protestohet kundër masave të reja. Një ditë më herët, në grevë të përgjithshme 24 orëshe do të hidhen gazetarët dhe teknikët e mediave të shkruara dhe atyre elektronike.

Artikulli paraprakDITË INTENSIVE PËR MACRON, EMËRON KRYEMINISTRIN DHE TAKON MERKEL
Artikulli tjetërDYGOLËSH I GASHIT, MËNGJARASHI NË SUPERFORM, MUND JAHMIR HYKËN