TSIPRAS: MBËSHTETJA E DEPUTETËVE NA DHA MANDAT TË FORTË. Me 251 vota pro dhe 32 kundër Parlamenti grek ka miratuar pak pas orës 03:00 të mëngjesit paketën e propozimeve te qeverisë greke për daljen nga kriza. Në një deklaratë të lëshuar gjatë natës, kryeministri grek Aleksis Tsipras tha se mbështetja e deputetëve i dha atij një “mandat të fortë për të përfunduar negociatat dhe për të arritur një marrëveshje të drejtë shoqërore dhe ekonomikisht të qëndrueshme.” “Prioritet tani është që të ketë një rezultat pozitiv për negociatat. Çdo gjë tjetër në kohën e vet,” tha ai.

Seanca u shoqërua me debate të shumta mes përfaqësuesve të shumicës dhe opozitës. Ministri i Financave pranoi gjatë fjalës së tij në parlament se ky propozim nuk mund të shoqërohej me triumfalizëm pasi 61% e grekëve refuzuan propozimin e mëparshëm të kreditorëve. Votimi u krye ndërsa mijëra grekë qëndruan jashtë për orë të tëra duke protestuar kundër propozimeve të bëra nga qeveria Tsipras ndaj kreditorëve ndërkombëtarë. Përpara votimit, Kryeministri grek u tha parlamentarëve se ata kishin një “detyrë kombëtare për të mbajtur gjallë popullin e tyre.” Paketa më e fundit për reforma është tepër e ngjashme me kushtet që grekët refuzuan në referendum të dielën e kaluar, duke zemëruar kështu anëtarët e plaftformës së majtë brenda partisë Syriza. Pesë prej tyre nënshkruan një letër ku thuhej se do të ishte më mirë të rikthehej dhrahmia, se sa të pranonin masa të mëtejshme shtrënguese pa marrë falje të borxhit.

Artikulli paraprakMASAKRA E SREBRENICËS, VUÇIÇ PRITET ME GURË
Artikulli tjetërSAMUEL NIKAJ TRAJNERI I RI I TËRBUNIT