
Për tre ditë me radhë, Lezha dhe Mirdita mirëpritën Parlamentin e Katërt Kombëtar Rural. Fermerë dhe prodhues nga e gjithë Shqipëria u bënë bashkë, në prani të përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Bashkimit Evropian, ku u diskutuan problemet dhe sfidat e zhvillimit rural.Kryetarët e bashkive Lezhë dhe Mirditë kërkuan më shumë mbështetje për sektorin e bujqësisë, duke e konsideruar atë si mënyrën e vetme për t’i dhënë jetë fshatit dhe për të ndaluar shpopullimin.
Edhe fermerët theksuan se nevojat për investime në bujqësi dhe mbështetja me subvencione janë domosdoshmëri për zhvillimin e zonave rurale.
Përfaqësuesja e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kërkoi bashkëpunim mes të gjithë aktorëve për zhvillimin e qëndrueshëm rural.
Në fokus të Parlamentit Kombëtar Rural ishte partneriteti, reformat dhe zhvillimi koheziv territorial, si shtylla kyçe për një Shqipëri rurale më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.






