
Prej ditës së sotme, segmenti rrugor Parrucë–Xhabije në Shkodër është i hapur në dy sense qarkullimi. Ky segment konsiderohet një nga pikat më të ngarkuara të qytetit, ndaj organizimi i ri i qarkullimit synon të lehtësojë trafikun dhe të shmangë radhët e gjata të automjeteve që krijoheshin shpesh në këtë zonë.
Gjatë ditës së sotme, efektivë të Policisë së Qarkullimit kanë qenë të pranishëm në segment, duke ndaluar parkimet e gabuara dhe duke orientuar drejtuesit e mjeteve për mënyrën e re të lëvizjes.
Ndryshimi ka sjellë reagime të ndryshme nga qytetarët. Një pjesë e tyre shprehen se hapja në dy sense është e nevojshme për të shmangur trafikun, ndërsa të tjerë mendojnë se rruga mbetet e ngushtë dhe mund të krijohen vështirësi, sidomos në oraret e ngarkuara.
Segmenti Parrucë–Xhabije është tashmë i hapur në dy sense qarkullimi, ndërsa në terren ndodhet edhe Policia Rrugore për të menaxhuar trafikun.






