Partia Demokratike dega Shkodër ka akuzuar përsëri qeverinë aktuale për situaten e krijuar nga përmbytjet në zonën e Nënshkodrës. Kreu i demokratëve në Shkodër, Xhevdet Amuli, përmes një postimi në Facebook shprehet se qeveria e ka harruar Shkodrën dhe qytetarët e saj duke i lënë në mëshirë të fatit. Amuli gjithashtu shtoi se nuk ka asnjë dëmshpërblim për ato toka bujqësore nga qeveria, vetëm premtime boshe dhe fjalë pafund.

POSTIMI I PLOTË

Situata në qytetin e Shkodrës, vijon të jetë shqetësuese nga përmbytjet. Edhe pse reshjet e shiut kanë pushuar prej disa ditësh, shkarkimet e HEC këto ditë kanë qenë të larta. E si pasojë Oboti vijon të jetë i përmbytur dhe uji është rritur mbi 1 metër.

Qeveria e ka harruar Shkodrën dhe qytetarët e saj. Shkodra është lënë në mëshirë të fatit, por deri kur ??

Ndërkohë, ditët e ardhshme janë paralajmëruar reshje intensive shiu dhe Shkodra rrezikon akoma më shumë. Vijojnë të jenë problematike Njësitë Aministrative Dajc dhe Ana e Malit.

Fermerët janë braktisur prej 8 vitesh nga kjo qeveri, e cila nuk ka dëmshpërblyer me asnjë qindrak për tokat e përmbytura këto vite. Vetëm gënjeshtra nga ministra, zëvendësministra dhe të gjithë. Asnjë dëmshpërblim për ato toka bujqësore nga qeveria, vetëm premtime boshe dhe fjalë pafund. Këto fermerë sot ndihen të braktisur dhe pa mbështetje.

Partia Demokratike do jetë gjithmonë zëri i qytetarëve.