Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi i ka uruar nga Pogradeci suksese ish-kryetares së Parlamentit dhe ish-nënkryetares së PD-së Jozefina Topalli për partinë e re.
Kryemadhi e cilësoi një alternativë dhe një grua më shumë.

“I uroj suksese znj. Topalli. Një alternativë më shumë, një grua më shumë, kështu që i uroj suksese në të gjithë hapat e saj.
Ne jemi të hapur për të gjithë nuk është çështje e partive politike, këtu është çështja të gjithë kundër sektit të rilindjes, pastaj partitë politike mund të përfshihen si të duan.
Kodi i ri iu krijon problem partive të reja dhe atyre që duan të kandidojnë. Kodi i vjetër iu jepte mundësi partive të reja që dhe me 5000 vota apo 4500 të merrnin një vend në parlament, ndërsa me kodin e ri e kanë të pamundur”, tha Kryemadhi.

Për sa i përket deklaratës së ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, Kryemadhi komenton: “Një papërgjegjshmëri e madhe përveçse papërgjegjshmëri profesionale e quajta një artikulim të padenjë dhe do thosha një thënie budallaqe prej saj. Ajo nuk është zoti që të vendose kush do rrojë kush do vdesë.
Papërgjegjshmëria dhe pandëshkueshmëria sidomos në Ministrinë e Shëndetësisë për shkak të koncesioneve të check-up, për shkak të gjithë grabitjeve që i bëhen sistemit shëndetësor. Kjo pandëshkueshmëri i ka lejuar ata që të jenë zoti i shqiptarëve të vendosin kush do rrojë dhe kush do vdesë.
Mund ta quaj një papërgjegjshmëri por ata që e gjykojnë më shumë janë qytetarët ndërkohe në anën tjetër dhe viktimat e thënieve dhe sjelljeve të saj”.

Ndërkohë Kryemadhi e cilësoi dramatike situatën e shëndetit stë qytetarëve.
“S’duhet të shpenzojmë kohë me deklaratat dhe lajthitjet momentale. E rëndësishme për ne është kontakti me qytetarët t’i informojmë sipas mundësive që kemi për t’i çuar drejt asaj që ne e quajmë të domosdoshme, ndryshimin e menjëhershëm të kësaj situate që është 25 prilli dhe largimi njëherë e përgjithmonë i asaj fare që ka instaluar tranzicionin politik që quhet rilindje”, deklaroi Kryemadhi.