Partizani mori një fitore shumë të rëndësishme për fatet e këtij sezoni. Të Kuqtë mposhtën 2-1 Kukësin në fushën e këtij të fundit dhe jo vetëm që mbajnë vendin e tretë, por shkëputen me tri pikë nga verilindorët e vendit të katërt.

Pasi humbi dy raste të mira me Junior dhe Skukën, ku i pari tronditi traversën që në start, Partizani zhbllokoi sfidën në minutën e 26-të me anë të Junior. Cara harkoi mirë nga e majta dhe braziliani nuk fali në zonë, duke goditur saktë me kokë.

Por miqtë nuk u ndalën këtu, vijuan me të njëjtin ritëm dhe në minutën e 40-të shënojnë edhe golin e dytë. Është sërish Junior ai që realizon. Kësaj here ishte Skuka që pasoi saktë për sulmuesin e Partizanit.

Kukësi u zgjua në pjesën e dytë. Në minutën e 52-të, vendasit ngushtuan diferencat në 1-2. Kroati Basa ndalet fillimisht nga shtylla, ndërsa më pas Milunovic e shtyn topin në rrjetë.

Verilindorët përpiqen me çdo kusht të shmangin të paktën humbjen, por edhe pse në shtesë luajtën në epërsi, pasi Maget i Partizanit ndëshkohet me karton të kuq, nuk ia dolën. Në “Kukësi Arena” feston Partizani.

Artikulli paraprakA BESON SE KA PASUR TAKIM DHE MARRËVESHJE NË DHËRMI MES BASHËS DHE RAMËS? JA SI PËRGJIGJET BERISHA
Artikulli tjetërANALIZA E AL JAZEERA-S: SI “PATRIOTËT SERBË” DUAN QË BEOGRADI TË KTHEHET NË NJË PROVINCË RUSE