Vllaznia ka ruajtur diferencën prej 9 pikësh në vendin e parë. Një barazim 0-0 ndaj rivalëve të Partizanit në transfertë ka bërë që Vllaznia të bëjë një tjetër hap të rëndësishëm drejt titullit kampion. Kuqeblutë zhvilluan një lojë të mirë duke patur edhe disa raste shënimi, në një 90 minutësh krejt ndryshe nga përballja me Kastriotin ku shkodranët nuk arritën të fitojnë. Edhe Partizani krijoi disa raste shënimi kryesisht në pjesën e dytë por mbrojtja e Vllaznisë dhe portieri Zogoviç arritën të mbajnë të paprekur portën. Një rast në minutat e fundit dhe një gjuajtje pak më përpara nga Partizani drithëruan kuqeblutë por topi nuk shkoi në rrjetë.

Më përpara të dy ekipet mbetën me 10 lojtarë sepse Krymi dhe Bitri morën nga një karton të kuq në pjesën e dytë të lojës. Vllaznia u dobësua në fazën mbrojtëse me daljen e Krymit por shkodranët arritën që të mos ndëshkohen. Kjo ndeshje në Elbasan Arena u shoqërua me reshje të dendura shiu duke bërë që terreni të mos jetë i përshtatshëm dhe topi shpesh herë të mos i bindet lojtarëve në pasime apo edhe në tentativat për gol. Për Vllazninë ky është një rezultat pozitiv duke bërë që skuadra shkodrane të shkojë në kuotën e 37 pikëve ndërsa Partizani mbetet sërish 9 pikë mbrapa me 28 pikë në vendin e dytë.

Laçi i vendit të tretë u afrua me 10 pikë diferencë duke shkuar në kuotën e 27 pikëve pas fitores me Teutën 1-0 ndërsa një fitore mori edhe Tirana në transfertë me Apoloninë. Vllaznia përballjen e radhës do ta ketë ndaj Laçit në Shkodër, një sfidë ku shkodranët objektiv kanë fitoren për të blinduar edhe më shumë vendin e parë.