
Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka reaguar lidhur me pezullimin e përkohshëm të fondeve të ndihmës së huaj të SHBA-së, që preku edhe institucionet shqiptare, përfshirë SPAK. BE konfirmon mbështetjen e për reformën në drejtësi në Shqipëri dhe veçanërisht për Prokurorinë e Posacme. Duke vlerësuar punën e SPAK, edhe ambasada holandeze në Tiranë është shprehur se përmes programeve të saj vijon të mbështesë SPAK në përpjekje për forcimin e shtetit ligjor. Ambasada njofton nisjen e projektit të dytë të Holandës në ofrimin e mbështetjes së zgjeruar në hetimet financiare dhe ndarjen e ekspertizës holandeze.
“Holanda, përmes Programit MATRA, është e kënaqur të vazhdojë mbështetjen për SPAK në përpjekjet e tij për forcimin e sundimit të ligjit.
Jemi të lumtur të njoftojmë nisjen e projektit tonë të dytë – i zbatuar nga CILC – i cili fokusohet në ofrimin e mbështetjes së zgjeruar në hetimet financiare dhe ndarjen e ekspertizës holandeze për të plotësuar më tej praktikat e konsoliduara të SPAK. Ne e njohim dhe vlerësojmë punën e jashtëzakonshme që ka realizuar SPAK dhe, me dy projekte në vazhdim, mbetemi të përkushtuar për të forcuar më tej partneritetin tonë”,- shkruan ambasada holandeze.