Qeveria ka ndaluar importimin e shpendëve të gjallë dhe të therur, si dhe nënprodukteve të tyre nga 15 shtete të Europës, si dhe Izraeli.

Urdhri i lëshuar nga ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Miklva Ekonomi, “Për disa masa mbrojtëse ndaj sëmundjes së influencës avariare me patogjenitet të lartë të shpendëve”, mban datën 23 prill 2021 dhe është i publikuar në fletoren zyrtare të datës 29 prill.

Vendimi argumentohet me rrezikun e importimit të të ashtuquajturit grip të shpendëve, që rezulton të jetë i përhapur gjerësisht në shtetet më kryesore të Europës, si në Gjermani, Francë, Itali, Kroaci, Poloni, Hungari, Rumani, Çeki, Sllovaki, Holandë, Belgjikë, Danimarkë, Lituani, Ukraine, si dhe në shtetin e Izraelit.

Vendimi i Ministrisë së Bujqësisë sanksionon ndalimin e importit dhe tranzitimit për në territorin e Republikës së Shqipërisë, të shpendëve të gjallë shtëpiakë dhe të egër; zogjtë 24-orësh; shpendë dekorativë; materialit biologjik të shpendëve; importimin e vezëve, mishit si dhe nënprodukteve të shpendëve nga 15 shtetet europiane dhe Izraeli.

Vendimi i qeverisë shqiptare vjen pas sinjaleve të qarta për një epidemi të gripit të shpendëve të përhapur gjerësisht në Europë.

Sipas Autoritetit Europian të sigurisë ushqimore EFSA në periudhën dhjetor 2020 – shkurt 2021 janë zbuluar mbi 1000 raste të infektimeve nga një virus tepër ngjitës i quajtur HPAI A(H5), i përhapur në shpendë të egër dhe të butë.

Gjithsesi, ekspertët europianë të sigurisë ushqimore janë të mendimit se virusi i ri i shpendëve mbart rrezik shumë të ulët për popullatën e gjerë, si dhe për udhëtarët.