Pas temperaturave të ulëta dhe ditët e ftohta që po kalon vendi ynë, pritet rikthimi i reshjeve të shiut.

KESH njofton se reshjet e shiut do të rikthehen gjatë fundjavës  ku për datat 22-26 janar priten reshje intensive në vend.

Në njoftim bëhet me dije, se prurjet në Hec-et e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës priten të rriten ndjeshëm, por autoritetet po ndërmarrin masat e nevojshme për të parandaluar shkarkimet e mëdha të prurjeve natyrore.

Gjithashtu në njoftim thuhet se për shkak të menaxhimit dhe monitorimit të situatës, shkarkimet nuk do kenë ndikim në zonën e nën-Shkodrës.

Reshjet intensive të shiut përfshinë vendin tonë gjatë javës së kaluar ku shkaktoi përmbytje në shumë qytete.

Mijëra hektarë tokë bujqësore u përmbytën në zonën e Shkodrës, Kurbinit e Lezhës ndërkohë që ka pasur rrëshkitje dherash dhe në disa akse nacionale.

Njoftimi i plotë i KESH:

Raportet meteorologjike parashikojnë se për periudhën 22-26 Janar 2021 priten rreshje intensive shiu, në të tre basenet e kaskadës së lumit Drin dhe për pasojë prurjet në Hec Fierzë, Koman dhe Vau Dejës priten të rriten ndjeshëm.

Sekretariti Teknik i Komisionit të Posaçëm të Trajtimit të Plotave vijon punën në marrjen e masave paraprake për ti paraprirë situatës që pritet të vijë në ditët në vijim.

Për këtë arsye, shkarkimet e kontrolluara në Hec Vau Dejës u rritën nga 300 m3/s në 700 m3/s me synim parandalimin e shkarkimeve të medha në momentet e pikut të prurjeve natyrore.

Shkarkimet do të menaxhohen me kujdes duke ndjekur në dinamikë zhvillimet meteorologjike. Bazuar në informacionin aktual të prurjeve, shkarkimet nuk do të kenë ndikim në zonën e nën-Shkodrës.

KESH, do të vijojë bashkëpunimin me autoritetet përgjegjëse dhe do të mbajë të informuar në mënyrë transparente opinionin publik.