
Zbardhet drafti i rezolutës së Samitit të BE e cila pritet të diskutohet dhe miratohet nga liderët europiane gjatë mbledhjes 2 dy ditore, 26-27 qershor në Bruksel. Dokumenti bën thirrje për më shumë presion mbi Rusinë, ku një paketë e re sanksionesh duket se është gati.
“Këshilli Evropian dënon fuqimisht bombardimet e vazhdueshme të civilëve dhe infrastrukturës civile nga Rusia dhe bën thirrje për një armëpushim të plotë, të pakushtëzuar dhe të menjëhershëm. Këshilli Evropian mirëpret gatishmërinë e Ukrainës në këtë drejtim. Ai i kërkon Rusisë të demonstrojë vullnet të vërtetë politik për t’i dhënë fund luftës së saj të agresionit, për të pranuar një armëpushim të tillë dhe për t’u angazhuar në negociata kuptimplote”, thuhet në atë që pritet të jetë drafti përfundimtar i Samitit.
“Bashkimi Evropian – shkruhet më tej – është i gatshëm të rrisë presionin e nevojshëm për këtë qëllim, duke përfshirë edhe një paketë të re dhe të fuqishme sanksionesh ndaj Kremlinit”.
Në tekst, udhëheqësit gjithashtu nënvizojnë nevojën për “garanci të forta dhe të besueshme sigurie për Ukrainën” që të shoqërojnë “një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje” për të “penguar agresionin e ardhshëm rus”.
Rezoluta përsërit mbështetjen e saj të fortë për “rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit në BE” dhe i bën thirrje Këshillit të “ndërmarrë hapat e ardhshëm në procesin e pranimit në përputhje me qasjen e bazuar në meritë, me hapjen e grupeve kur të përmbushen kushtet”. Burime diplomatike evropiane konfirmojnë se përfundimet mund të miratohen në 26 qershor pa mbështetjen e Hungarisë, e cila është veçanërisht kundër përparimit të Kievit në rrugën drejt pranimit në BE. Samiti, shpjeguan burime të Brukselit, mund të jetë një mundësi për kryeministrin hungarez Viktor Orban për të ilustruar rezultatet e konsultimit kombëtar jo-detyrues mbi këtë çështje, i cili përfundoi ditët e fundit.