Studentët në Serbi kanë njoftuar se do të vijojnë me tubimet protestuese edhe në mbrëmjen e sotme, pas ngjarjeve të tensionuara që ndodhën gjatë natës së 13 dhe 14 gushtit.

Përmes rrjeteve sociale, ata kanë shpërndarë vendet dhe oraret e tubimeve, duke ftuar qytetarët nga gjithë Serbia që të marrin pjesë në protesta. Në kryeqytetin Beograd, protestat pritet të fillojnë në orën 19:30. Një ditë më parë, tubime u mbajtën në rreth 30 qytete të ndryshme nën moton “Serbi, zgjohu”, ku përplasjet më të ashpra mes protestuesve dhe forcave të rendit u regjistruan në Beograd dhe Novi Sad, kryesisht pranë selive të Partisë Progresive Serbe (SNS). Për herë të parë në këto përplasje u përfshinë edhe ushtarë të Forcave të Armatosura Serbe, përfshirë anëtarë të njësisë elitare “Kobra”. Shtatë prej tyre u plagosën, ndërsa katër ushtarë pësuan lëndime serioze.

Studentët nënvizuan se protesta po zhvillohen si reagim ndaj dhunës së ushtruar në qytetin Vrbas, ku protestuesit u sulmuan nga mbështetës dhe anëtarë të partisë në pushtet me fishekzjarrë, gurë, shishe me ujë të ngrirë dhe objekte të tjera të rrezikshme.

Artikulli paraprakSPANJA KËRKON NDIHMË PËR ZJARRET, THELLOHET BILANCI I VIKTIMAVE
Artikulli tjetërIZRAELI INTENSIFIKON BOMBARDIMET, TË PAKTËN 17 TË VRARË DITËN E SOTME NË GAZA