Pasaportat false, shtohen rastet; edhe vjedhje e identitetit

Vetëm gjatë janarit policia e Tiranës ka proceduar penalisht 14 shtetas të cilët kanë aplikuar me dokumenta të falsifikuara për pajisjen me pasaporta biometrike. Por cilat janë shkaqet që shtyjnë qytetarët të ndërmarrin këtë veprim? “Shtetas të shumtë, nga Kosova, që duke mos qenë në gjendje të udhëtonin pa viza në vendet e BE, kanë ardhur e janë pajisur me pasaporta në shtetin tonë dhe kanë udhëtuar në Europë. Gjithashtu kemi edhe shtetas shqiptarë të dënuar për të mos hyrë më në vendet e Schengenit”, deklaron Alket Pashaj, shef i seksionit të krimit ekonomik. Për t’u pajisur me pasaportë me identitet të rremë është shfrytëzuar një handikap me kompaninë “Aleat”, i cili tashmë është zgjidhur. “Nëse sot është specialisti i policisë në zonë që verifikon jo vetëm emrat e kandidatëve për pasaporta, por merr kontakt fizik me ta, duke konfirmuar vërtetësinë e dokumentave dhe vetë individit, kjo nuk ka qenë para 3 vitesh”, thotë Pashaj. Falsifikimi i pasaportave dënohet me gjobë por edhe me burg nga 6 muaj deri në 4 vjet, por çfarë pasojash sjell ky fenomen për qytetarët? “Kemi pasur të bëjmë me një familje nga një zonë e afërt e Tiranës, që donte të udhëtonte dhe vendosën të aplikonin të gjithë. Të gjithëve u është vjedhur identiteti”, shton Pashaj.