
Lezha do të ketë një galeri të përhershme të piktorit Pashk Përvathi, ku janë ekspozuar 82 punime të realizuara prej tij gjatë veprimtarisë 40-vjeçare. Hapja e galerisë u bë përmes një ceremonie të veçantë, ku ishin të pranishëm autoritete lokale, si dhe miq e bashkëpunëtorë të artistit.
Ekspozimi i krijimtarisë 40-vjeçare në qytetin e tij të lindjes ka qenë një ëndërr e kahershme, shprehet piktori Pashk Përvathi, sipas të cilit kjo galeri do të jetë një aset i rëndësishëm kulturor për Lezhën.
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, si dhe artistë e kritikë arti të pranishëm, vlerësuan kontributin e Pashk Përvathit në artin figurativ, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Veprat e ekspozuara në këtë galeri nisin që prej vitit 1984 dhe dominohen nga gjinia e peizazhit, me motive nga të gjitha trevat e Shqipërisë, duke e shndërruar galerinë në një pasuri të çmuar kulturore për qytetin e Lezhës.






