Pashka është një ndër festat më të rëndësishme për besimtarët e krishterë, pasi simbolizon ringjalljen e Jezu Krishtit dhe triumfin e jetës mbi vdekjen. Në fshatin Balldre të Lezhës, kjo festë vazhdon të ruajë një domethënie të veçantë, ku traditat përcillen me përkushtim nga një brez tek tjetri.Një prej besimtarëve që i qëndron besnik këtyre riteve është Dila Kola.
Edhe pse mban mbi supe plot 80 vite jetë, ajo gjendet çdo ditë në kishë, aty ku lutja dhe qetësia shpirtërore janë bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë së saj.
Nena Mirditore tregon për simbolikën e kësaj dite të shenjtë, duke theksuar se në vendin tonë ajo po zbehet gjithnjë e më shumë për shkak të shpopullimit dhe emigrimit.
Pavarësisht sfidave dhe ndryshimeve të kohës, Dila Kola thekson se besimi i saj nuk është lëkundur as në periudhat më të vështira. Ajo kujton kohën e regjimit komunist, kur feja ishte e ndaluar, por njerëzit gjenin mënyra për të mos e humbur lidhjen me Zotin.
Duke folur për simbolikën e Pashkëve, ajo ndalet tek mesazhi i shpresës, ringjalljes dhe besimit që kjo festë përcjell, jo vetëm për besimtarët, por për të gjithë njerëzit.
Pavarësisht rënies së numrit të besimtarëve për shkak të emigrimit dhe shpopullimit të zonës, famullitari i Balldrenit, Dom Mateusz Drzewiecki, shprehet se traditat vazhdojnë të ruhen dhe të përcillen ndër breza.
Në një kohë kur shumë fshatra po zbrazen dhe ritmet e jetës po ndryshojnë, Dila Kola mbetet një dëshmi e gjallë se besimi dhe tradita mund të mbijetojnë, për sa kohë ka njerëz që i mbajnë ato në zemër.

Artikulli paraprakAKU SHKODËR BLLOKON 7 TON DJATHË TË BARDHË LOPE
Artikulli tjetërBESËLIDHJA SIGURON NGJITJEN NË KATEGORINË E PARË