Organizata Botërore e Shëndetit ka thënë se nuk ka asnjë provë deri më tani që tregon se vaksina e prodhuar nga AstraZeneca, shkakton mpiksje të gjakut. Përmes një deklarate, OBSH thekson se po trajtohen raportet në lidhje me këtë pretendim, por sipas tyre procesi i vaksinimit duhet të vijojë. Gjermania, Holanda, Austria, Italia dhe shumë vende të tjera Evropiane e kanë pezulluar përkohësisht injektimin e vaksinës AstraZeneca në popullatë. Kjo për faktin se ka pasur disa raste, ku kjo vaksinë ka shkaktuar mpiksje të gjakut tek personat.

Megjithatë, ekspertët thonë se numri i mpiksjeve të gjakut të raportuara pas vaksinës, nuk është më shumë se sa rastet e raportuara zakonisht, edhe në kushte normale. Rreth 17 milionë njerëz në Bashkimin Evropian dhe Britaninë e madhe kanë marrë të paktën një dozë e kësaj vaksine, e në të gjitha rastet vetëm 40 personave i është mpiksur gjaku.

Çfarë thonë OBSH dhe ekspertët e tjerë në lidhje me vaksinën AstraZeneca?

Zëdhënësi i OBSH, Christian Lindmeier, tha se ekspertët e tyre po hetojnë raportet e vaksinës AstraZeneca dhe janë në pritje të një përgjigjeje, por megjithatë, shtuan se deri më tani nuk ka asnjë provë që vaksina shkakton mpiksje të gjakut.

Sapo OBSH të ketë një tablo më të detajuar të raporteve të vaksinës AstraZeneca, do ia transmetojë menjëherë publikut. Vlen për t’u theksuar se deri më tani, nuk ka asnjë provë që kjo vaksinë shkakton mpiksje të gjakut. E rëndësishme është që fushata e vaksinimit për këtë vaksinë të vazhdojë dhe të shpëtojmë sa më shumë jetë nga COVID-19.

Shoqata Evropiane e Mjekëve, e cila gjithashtu po kryen një investigim në lidhje me vaksinën AstraZeneca, theksuan se fushata e vaksinimit duhet të vijojë, pasi sipas tyre nuk ka prova se kjo vaksinë shkakton mpiksje të gjakut.

Çfarë masash po merren?

Vendimi i Gjermanisë për të pezulluar injektimin e vaksinës AstraZeneca, erdhi një ditë pas Holandës, e cila ka deklaruar se pezullimi do të zgjasë të paktën deri më 29 mars. Gjithashtu edhe Irlanda, Danimarka, Norvegjia, Bullgaria dhe Islanda kanë ndaluar përkohësisht injektimin e vaksinës, ndërsa Republika Demokratike e Kongos dhe Indonezia kanë shtyrë fillimin e shpërndarjes së tyre. Disa vende evropiane, përfshirë Italinë dhe Austrinë, kanë pezulluar përdorimin e grupeve të caktuara të vaksinës, si një masë paraprake