
Situata e krijuar nga sasia e madhe e mbetjeve të sjella nga prurjet e lumit Drin në pjesen fundore të bregdetit të Kunes, ka vënë në lëvizje institucionet vendore në Lezhë. Bashkia, në bashkëpunim me Administratën e Zonave të Mbrojtura dhe banorë të zonës, kanë ndërmarrë një aksion të gjerë pastrimi.
Mjete të rënda dhe punëtorë janë angazhuar për largimin e mbetjeve, ndërsa për shkak të përmbytjes së rrugës që lidh Ishull-Shëngjinin me këtë pjese të vijës bregdetare, është përdorur edhe varka për largimin e thesëve me mbeturina.
Administratori i Njësisë Administrative Shëngjin, Brahim Demi, u shpreh se kjo zonë nuk është e frekuentuar shpesh nga vizitorët, por vemendja do te jete e vazhdueshme për ta ruajtur të pastër këtë hapësirë të rëndësishme natyrore. Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos hedhin mbeturinat në brigjet e kanaleve dhe lumenjve, pasi në fund të gjitha përfundojnë në det.
Pjesa fundore e bregdetit të Kunes, u ndot masivisht pas prurjeve te shumta te Lumit Drin, ku u depozituan mbetje plastike, qelqi e deri tek kafshët e ngordhura, duke e kthyer zonën përkohësisht në një landfill të vërtetë mbetjesh.






