
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër ka dërguar në gjyq katër persona të akuzuar për pastrim parash me vlerë rreth 500 mijë euro, përmes transaksioneve dhe veprimeve bankare fiktive. Sipas hetimeve, ata dyshohet se kanë përdorur kontrata dhe veprime të simuluara për të fshehur origjinën e parave. Shuma e dyshuar është sekuestruar gjatë hetimeve.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër njofton se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasit A.C., A.G., G.G. dhe V.J., për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 287/3 i Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr. 1280, të vitit 2021, u arrit të provohet se shtetasit A.C., A.G., G.G. dhe V.J., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer kontrata (shkëmbime pronash, dhurime dhe shitje) dhe veprime bankare fiktive me qëllim pastrimin e produkteve penale në shumën prej 500 000 (pesëqind mijë) euro, shumë që është sekuestruar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.






