Prej ditës së sotme, 1 shkurt 2018, ka nisur operacioni “Themis”, misioni i ri i agjensisë europiane Frontex për kontrollin e brigjeve dhe kufijve në Bashkimin Europian.

Pas kërkesave të vazhdueshme të qeverisë italiane e në mënyrë të veçantë të Ministrit të Brendshëm Marco Minitti, Agenzia Frontex ka vendosur dhënien fund të operacionit të mëparshëm Triton e nisjen e këtij misioni të ri për të ndihmuar Italinë në kontrollin e kufijve të territorit të saj. Anijet e operacionit “Themis” prej ditës së sotme do të patrullojnë dy rrugë të reja detare; njëra në lindje si Turqi, Greqi e Shqipëri dhe tjetra në perëndim mes Tunizisë e Algjerisë. Gjithashtu do të vazhdojë kontrolli i kryer deri më sot në zonat e tjera në Mesdhe. Mbi këtë mision të ri drejtori ekzekutiv i Agjensisë Frontex, Fabrice Leggeri, ka deklaruar sot se “Operacioni “Themis” do të jetë një operacion që do të kontribojë jo vetëm për të përballuar e luftuar emigracionin klandestin por dhe do të ndihmojë Italinë në luftën kundër krimit të organizuar siç është trafiku i drogës përmes Adriatikut.” “Një përbërës i rëndësishëm i operacionit Themis,” shprehet drejtori i ekzekutiv i Frontex, “është bashkërendimi i punës me shërbimet e inteligjencës për mbrojtur kufijtë e jashtëm nga sulmet terroriste e në zbulimin e mbërritjes së luftëtarëve terroristë përmes detit.” “Ne duhet të jemi të përgatitur për të parandaluar grupet kriminale të paidentifikuara që përpiqen të hyjnë në territorin e Bashkimit Europian” tha ai.

Një tjetër risi e operacionit “Themis” është dhënia fund e detyrimit të zbatuar deri më tani të zbarkimit të emigrantëve klandestinë të shpëtuar në Mesdhe vetëm në brigjet italiane. Nga sot, emigrantët që kapërcejnë Mesdheun do të zbarkohen në portin e tyre më të afërt që mund të jetë në Greqi, Maltë, Spanjë, Libi e Itali.

Artikulli paraprakBASKETBOLLISTI I NJOHUR DHE GRUAJA E TIJ VDESIN NË NJË AKSIDENT
Artikulli tjetërDHUNA NË DIBËR, BURG PA AFAT PËR NËNKRYETARIN E BASHKISË