
Një detyrë e re ka ardhur për Paula Jakun. Prej pak ditësh, ish-futbollistja e njohur ka nisur punën pranë ekipit të Vllaznisë, aty ku do të kryejë dy funksione njëherazi. Presidenti i Vllaznisë, Lazër Matija i ka ofruar asaj detyrën e trajneres së ekipit U-17, por njëkohësisht edhe si zv/trajnere e ekipit të parë. Vetë Paula Jaku, në një intervistë për mediat, e konsideron shumë pozitive ftesën nga Vllaznia dhe thotë se është përgjegjësi e madhe të punosh tek një ekip shumë i suksesshëm dhe me shumë emër, siç janë shkodranet.
Pas lënies së futbollit, Paula Jaku ka stërvitur ekipet e moshave të “Juban Danjës”, ndërsa kohët e fundit ka marrë edhe detyrën e trajneres së Kombëtares rajonale të femrave për grup-moshën U-14.