Ish-deputeti i PD, Bardh Spahia përmes një postimi në faqen e tij në FB shprehet se papërgjegjshmëria e komitetit të ekspertëve është epike.

Shkelja flagrante e masave anticovid nga vetë Rrakacolli në një aktivitet të PS ku ajo ishte e ulur në rradhën e parë vazhdon të kalojë, pa minimumi një ndjesë publike. Qytetarët gjobiten, ndërsa kryetarja e komitetit të ekspertëve e quan “incident” kur vetë shkel rregullat për hir të partisë, edhe kur kjo shkelje publikohet me figurë, edhe kur i jepet mundësia që të bëjë një reflektim publik! Dhe shfaqja vijon kur u kërkohet qytetarëve “respektimi deri në detaj të distancave fizike e sociale sepse mbrojnë nga Covid e mutacionet e tij”! – shkruan Spahia.

Ish-deputeti gjithashtu shtoi se kjo qeveri vazhdon të mos ketë një strategji e plan konkret për menaxhimin e Covid-19 por vijon sipas parimit mesjetar “me të parë e me të bërë”. Braktisja nga qeveria në këtë situatë e ndjehet nga çdo qytetar i prekur përmes kostove të trajtimit që i paguan vetë dhe kjo është sa antiligjore aq edhe ç’njerëzore! Propaganda mediatike veçse e nxjerr në pah këtë shfaqje të shëmtuar paaftësie e militantizmi!