Partia Demokratike e Shkodrës përmes një deklarate për shtyp ka akuzuar ministren e arsimit evis kushi se takimi i saj i një dite më parë në universitetin e shkodrës me studentë dhe pedagogë është një fasadë e radhës. PD thotë se ministrja kushi përsëriti si papagall fjalët e kryeministrit rama. Sipas pd ministrja e arsimit nuk arriti që të sqarojë studentët dhe pedagogët.

“Ministrja e arsimit, Kushi ishte aktorja e serisë së radhës në fushatën e pashpresë që ka filluar Rama në Shkodër për zgjedhjet e ardhshme. Në dukje, për të qarë hallet e arsimit, ministrja në takimet e zhvilluara në Universitetin e Shkodrës një ditë më parë, s’bëri gjë tjetër veçse përsëriti si papagall, po ato fjalë të kryeministrit të saj, duke harruar menjëherë atë çfarë kishte thënë vetë pak kohë më parë, sapo mori detyrën e ministres, lidhur me mesataren dhe mësimin on-line.

Sesa serioz dhe i vërtetë ishte takimi me pedagogët dhe studentët shkodranë e tregonte radha e parë e të ftuarve ku qëndronin deputetja socialiste Senida Mesi, prefektja Angoni dhe deputeti, model i korrupsionit në mjekësi, Ilir Beqaj. Aq më tepër nuk arriti të sqarojë asnjë pyetje të pedagogëve dhe studentëve, duke treguar se edhe kjo ministri ashtu si e tërë qeveria ecën me improvizimet e çastit të mendjes të sëmurë të kryeministrit.

Drejtuesit e Universitetit të Shkodrës kanë detyrën t’i shërbejnë Dijes, dhe jo ta kthejnë institucionin në shoë politik, apo shërbim për interesa të klikës në pushtet. Zonja Rektore e Universitetit nuk duhet ta ktheni institucionin e Arsimit të Lartë në celulë të partisë Socialiste apo të një sekti të caktuar. Universiteti është i Shkodrës, dhe i brezave të rinj, është vendi i dijes dhe jo i partisë.

Si mund të justifikohet vendimi për mbylljen e auditorëve të universiteteve një ditë para fillimit të vitit të ri akademik, e po atë ditë merr vendim hapjen e kinemave? Si mund të kalosh pa pyetur asnjë universitet, duke shkelur çdo lloj ligji dhe autonomie, në mësim online? Në asnjë vend të botës nuk merret një reformë e tillë pa bërë investime për t’i krijuar mundësitë teknike optimale studentëve.

Por këto takime si e gjithë fushata që ka filluar kjo qeveri janë të dështuara. Përgjigjen më të mirë do ta marrin me 25 prill, në zgjedhjet e ardhshme nga vota e shqiptarëve. Fillimi i shkollës pa kushte për studentët e Kryeministri kujdeset për fasadat. Por,realiteti është i hidhur për familjet shqiptare. Prindërit gjenden përballë pamundësisë për të përballuar koston e lartë për fëmijët për t’i nisur për në shkollë.

Në kushtet kur paga minimale në Shqipëri është më e ulët se kostoja për përgatitjen e një fëmije për në shkollë, si veprojnë ato familje që kanë dy apo më shumë fëmijë në shkolla? E si të mos mjaftonte litari në fyt, studentët përballen me një realitet të pashpresë. Disa fakultete në Shkodër janë në rrezik mbylljeje e pa asnjë orientim nga ato që drejtojnë Universitetin.

Lërini takimet Partiake Zonja Rektore por merruni me drejtimin e universitetit. Kjo situatë duhet të marrë fund! Zëri i demokratëve do të jetë gjithmonë në anën studentëve dhe pedagogëve. Brezi i ri do investim dhe vëmendje, jo fasada që i lihen bosh”.