
Demokratët kanë përkujtuar sot 80-vjetorin e Kryengritjes së Postribës, e konsideruar si kryengritja e parë antikomuniste në Shqipëri. Në Shkodër, figura të Partisë Demokratike dhe përfaqësues të të përndjekurve politikë kujtuan ngjarjen e 9 shtatorit 1946 dhe viktimat e reprezaljeve të regjimit komunist. I pranishëm në ceremoninë përkujtimore ishte sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka. Ai e lidhi përkujtimin e Kryengritjes së Postribës me zhvillimet politike të ditës, duke deklaruar se, sipas tij, shqiptarët po përballen sërish me një “diktaturë të krimit dhe korrupsionit”.
Deputeti i PD-së, Bardh Spahia, tha se qytetarët duhet të qëndrojnë të bashkuar kundër asaj që ai i cilësoi si pasardhës të regjimit komunist.
Ndërsa deputeti Kliti Hoti e cilësoi Kryengritjen e Postribës si një akt qëndrese kundër frikës dhe nënshtrimit. Në ceremoninë përkujtimore foli edhe Besim Ndregjoni, i cili kërkoi dënimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri. Ndregjoni e cilësoi Edi Ramën si “diktatorin e fundit stalinist në Europë” dhe bëri thirrje për rrëzimin e asaj që ai e konsideron diktaturë.
Për kreun e PD-së në Shkodër, Ardit Çylybyli, përkujtimi i Kryengritjes së Postribës është një detyrim për ruajtjen e kujtesës historike dhe për të mos lejuar përsëritjen e diktaturës.
80 vite më parë, Kryengritja e Postribës u shtyp me forcë nga regjimi komunist. Të paktën 18 burra u pushkatuan pa gjyq në mes të fshatit, ndërsa gjatë reprezaljeve të para numri i të pushkatuarve pa gjyq arriti në 33 persona. Mbi 30 shtëpi u dogjën dhe u shkatërruan plotësisht. 80 vite më pas, Postriba mbetet një prej simboleve të rezistencës antikomuniste dhe kujtesës së viktimave të diktaturës.


