4 ditë pas zyrtarizimit si drejtues politik i Partisë Demokratike në Qarkun e Lezhës, Mark Marku është prezantuar përpara strukturave të kësaj force politike në këtë qark.

Prezantimi i Markut në Lezhë, Kurbin dhe Mirditë u bë nga Sekretari i Përgjithshem i Partisë Demokratike Gazment Bardhi i cili tha se beteja elektorale e 25-prillit është një beteje për jetë a vdekje mes shqipërisë dhe një njeriu që po i merre frymen vendit dhe sipas tij duhet besuar fuqimisht në fitoren e Partisë Demokratike.

“Vjen sot si drejtues politik i qarkut si një anëtar i këtij ekipi të jashtëzakonshëm, burrash dhe grash të Kurbinit të Lezhës dhe Mirditës për të qenë krah jush dhe ju krah tij për ti siguruar fitoren e thellë të PD në zgjdhjet e 25 prillit. Asnjëri prej nesh si drejtues politik qarku nuk vjen në strukturën e partisë me mendjemadhësinë. Beteja elektorale që kemi përpara për ne demokratët është betejë për jetë a vdekje, por nuk është betejë për jetë a vdekje vetëm për ne demokratët.

Nëse do ishte kështu ne do kishim thjesht betejë politike mes demokratëve dhe socialistëve. Nuk është betejë mes PD dhe PS, por betejë mes Shqipërisë dhe një njeriu që po i merr frymën vendit. Secili prej jush në këtë sallë duhet të besojë fuqimisht te fitorja e PD në zgjedhje”, tha Bardhi.

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Qarkun e Lezhës Mark Marku premtoi mbështetje të plotë në fushatën elektorale, për të arritur fitoren e sigurtë në Zgjedhjet Parlamentare të 25 prillit.Profesori i gazetarisë Mark Marku ka qenë dhe në periudhen 2009-2013 deputet i Qarkut të Lezhës, ndërsa emri i tij është pritur mjaft mirë nga strukturat e PD-së në tre bashkitë e këtij qarku.