
SELIA BLU NË SHKODËR REAGON PËR VARFËRINË NË SHKODËR.
DEKLARATË PËR MEDIA E PARTISË DEMOKRATIKE SHKODËR
“Krimi është më i vogël kur tradhëton një qeveri se sa kur tradhëton njerëzit. Ka njëmijë mënyra të tradhëtosh popullin. Mund të shtypësh me dhunë, me terror e me bastisje. Të shfrytëzosh, të shpronësosh, të varfërosh me miliona burra dhe gra, të nxjerrësh ligje despotike dhe t’i bësh gjykatat vegla ndëshkimore, të përhapësh një propagandë gënjeshtare, të ngresh pa arsye kundra njëra-tjetrës, dy pjesë të shoqërisë… kështu tradhëtohet populli.” Ka thënë kështu shumë vite më parë industrialisti amerikan Albert KAHN, është pikërisht aktuale edhe sot për vendin tonë. Qeveria aktuale po e varfëron çdo ditë e më shumë këtë vend, i cili po rrokulliset drejt greminës së pafund sociale. U premtuan hapje të reja të vendeve të punës, ndërsa Shkodranët çdo ditë po përballen me mbylljen e vendeve të punës. Siç ndodh me prodhuesit e duhanit, të cilët jo vetëm që nuk mbështeten, por kjo qeveri përmes strukturave të saj të anti-kontrabandës, po u grabit në mes të ditës pa asnjë shkak, edhe atë pak produkt që e kanë nxjerrur në treg, si të vetmin burim të ardhurash. Kjo është Rilindja! U premtua rritje e mirëqënies sociale, ndërsa kemi çdo ditë heqje të personave nga lista e përfituesve të ndihmës ekonomike dhe asaj të paaftësisë. Çdo ditë në rrugët e Shkodrës po shtohen varfanjakët që shtrijnë duart për lëmoshë. Po ushtrohet një presion i madh psikologjik ndaj familjeve të tëra, përmes faturës së energjisë elektrike dhe kërcënimet me heqje nga puna të debitorëve. Listat e debitorëve nëpër dyqanet e Shkodrës po shtohen çdo ditë e më shumë. Nuk shohim asgjë konkrete nga projektet e mëdha shtetore të Rilindjes për zhdukjen e varfërisë. Shkodranët më mirë se askush tjetër po e provojnë sërish mbi kurriz, diskriminimin social dhe harresën totale nga strukturat e shtetit të Rilindjes. Për të qenë më konkret në ato çka deklaruam më sipër, po ju japim një shembull referuar vetëm një zone. Vetëm në Komunën e Bushatit nga lista e pagesës së paaftësisë, janë hequr 42 persona, ndër të cilët 7 persona para dhe tetraplegjikë me arsyen se kanë mungesë fletë drejtimi për në KEMP. Ndërsa janë lënë për rikomisionim 56 persona të tjerë. Kurse 36 persona me aftësi të kufizuara, status të cilin e kanë që nga viti 1991 dhe që realisht janë të sëmurë, për arsye sipas tyre mungese dokumentacioni, u është ndërprerë pagesa. Ndërsa një situatë e tillë është në të gjitha njësitë vendore të Shkodrës. Shtrojmë një pyetje! Përveç talljes me premtimet boshe dhe të pambajtura, a kemi ende për të parë?