Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike, Grida Duma ka reaguar mbi situatën e zjarreve që ka përfshirë vendin tone përmes një statusi në rrjetin social Facebook. Duma ka akuzuar ministrinë e Mbrojtjes për keqmenaxhim, paaftësi dhe shpërdorim detyre. Në këtë stastus deputetja e zgjedhur e Pd, Grida Duma shkruan se Shqipëria ka mbetur vetëm me një helikopter për shuarjen e zjarreve dhe një tjetër që përdoret për shëtitjet e Edi Ramës.

“Keqmenaxhimi, paaftësia, shpërdorimi i detyrës, korrupsioni janë elementët që fatkeqësitë natyrore kanë nxjerrë përherë në pah, duke rrëzuar propagandën hileqare të regjimit. Sot, Shqipëria ka mbetur vetëm me një helikopter për shuarjen e zjarreve dhe një tjetër që përdoret për shëtitjet e Edi Ramës.   Korrupsioni që ka shkrumbuar financat e shtetit i ka lënë qytetarët dhe pasuritë natyrore pa mbrojtje, ndërsa punonjësit e emergjencave civile dhe forcat e ushtrisë detyrohen të përballen me zjarrin me mjete rrethanore. Mashtrimet e përsëritura ndër vite dhe propaganda e paguar me taksat e qytetarëve nuk fshehin dot as dështimet, as dëmet që modeli  korruptiv i ndërtuar nga Edi Rama po i shkakton vendit. Nëse ky model nuk ndëshkohet, Shqipëria do të lëngojë nga kriza në krizë për shkak të një pakice që punon vetëm për veten, jo për shqiptarët”- shkruan Duma .