
Kryetar i PD Shkodër Ardit Çylybyli, ka reaguar përmes një postimi në facebook lidhur me çmimin e lartë të karburanteve në vend, me diferencë të theksuar me Malin e Zi.
Në një distancë prej vetëm 42 kilometrash nga Shkodra, çmimi i naftës ndryshon ndjeshëm. Aktualisht, një litër naftë në Shqipëri kushton rreth 214 lekë, ndërsa në Mal të Zi është dukshëm më i ulët, me një diferencë prej rreth 73 lekësh për litër.
Edhe pse në pamje të parë kjo diferencë mund të duket e vogël, në praktikë ajo ka një ndikim të konsiderueshëm në buxhetet familjare.
Sipas përllogaritjeve, një familje që konsumon mesatarisht 100 litra naftë në muaj paguan rreth 7300 lekë më shumë krahasuar me një familje në Mal të Zi.
Për shumë familje me të ardhura mesatare, kjo shumë përkthehet në kufizime për shpenzime bazë si ushqimi, arsimi dhe shërbimet.
Ndërkohë, efekti i çmimit të lartë të karburantit shtrihet edhe në ekonomi në tërësi. Rritja e kostove të transportit sjell automatikisht rritje të çmimeve të produkteve të përditshme, duke krijuar një efekt zinxhir dhe duke ulur fuqinë blerëse të qytetarëve.
Kjo diferencë e ndjeshme çmimi në një distancë kaq të shkurtër gjeografike ngre pikëpyetje mbi politikat fiskale dhe funksionimin e tregut të karburanteve në Shqipëri.






