Me anë të një deklarate të shpërndarë në rrjete sociale, Partia Demokratike akuzon Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri se ka dekonspiruar hetimin që po bëhet ndaj pilotit italian Guido Guidi.
Sipas selisë blu, ky dekonspirim qeveritar bëhet me qëllim që t’i jepet kohë dhe mundësi trafikantëve shqiptarë që kanë porositur avionin, që të mbrohen e t’i shpëtojnë ligjin. “Partia Demokratike shpreh shqetësimin e thellë për dekonspirimin nga Ministri i Brendshëm të hetimit që po bëhet ndaj pilotit italian, të kapur sot në Ishëm. Ky dekonspirim qeveritar bëhet me qëllim për t’i dhënë kohë dhe mundësi trafikantëve shqiptarë që kanë porositur avionin, që të mbrohen e t’i shpëtojnë ligjit. Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të marrë masa të shpejta dhe energjike ndaj çdo personi me pushtet që dekonspiroi sonte hetimin”, thuhet në deklaratë. Piloti 69 – vjeçar Guidi, u rrëzua mëngjesin e së enjtes në grykëderdhje të lumit Ishëm në Durrës teksa drejtonte një avion të vogël “Piper”. Dyshimet janë se avioni ka ardhë në Shqipëri për të transportuar drogë.